Hapet Faza e Dytë e Skemës së Granteve “E Ardhmja e Saj” – Mundësi Mbështetjeje për Gratë me Ide Biznesi
Projekti “E Ardhmja e Saj – Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë” hap Fazën e Dytë të Skemës së Granteve, duke sjellë një mundësi të re për gratë dhe vajzat në Kosovë që kanë një ide biznesi dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë në një hap konkret drejt krijimit të biznesit të tyre.
Faza e dytë fokusohet në ide biznesi që lidhen me turizmin, produktet autoktone, artizanatin, kulturën dhe trashëgiminë lokale, si dhe shërbime dhe produkte kreative që mund të zhvillohen në një biznes të qëndrueshëm.
Skema ofron trajnim, mentorim, konsulencë profesionale dhe mbështetje me pajisje.
Kush mund të aplikojë?
Për të qenë e përshtatshme për këtë skemë, aplikuesja duhet t’i plotësojë këto kritere:
- Të jetë grua ose vajzë, nga mosha 18 deri në 65 vjeç;
- Të jetë qytetare dhe banore e Republikës së Kosovës;
- Të jetojë në njërën nga 38 komunat partnere të projektit;
- Të ketë një ide fillestare biznesi, e cila ende nuk është e regjistruar si biznes;
- Të jetë e gatshme të marrë pjesë në trajnimin tre-ditor online, i cili është i detyrueshëm për të vazhduar në fazën e aplikimit për grant;
- Të jetë e gatshme ta regjistrojë biznesin vetëm pas njoftimit zyrtar për përzgjedhje;
- Të jetë e gatshme të përmbushë detyrimet ligjore dhe të paguajë kontributet pensionale dhe detyrimet e tjera të aplikueshme.
E rëndësishme: Për të aplikuar nuk kërkohet që të keni biznes të regjistruar. Në fakt, kjo skemë është e dedikuar për gra që janë ende në fazën e idesë dhe nuk kanë regjistruar biznes.
Kush nuk mund të aplikojë?
Nuk mund të aplikojnë personat që:
- Janë të punësuar në administratë komunale ose në institucione të tjera publike;
- Janë familjarë të afërt të një zyrtari komunal, përkatësisht bashkëshort/e, fëmijë, prind, vëlla ose motër;
- Janë familjarë të afërt të një përfaqësueseje të NEXA-s, përkatësisht vajzë, nënë ose motër;
- Nuk posedojnë dokumente të vlefshme identifikuese të Republikës së Kosovës;
- Nuk janë banorë të Kosovës;
- Dorëzojnë aplikacion pas afatit të përcaktuar;
- Dorëzojnë më shumë se një aplikacion.
Çfarë ofron Skema e Granteve?
Përfitueset e përzgjedhura do të kenë mundësi të përfitojnë një paketë të kombinuar të mbështetjes, e cila përfshin:
- Trajnim intensiv tre-ditor për zhvillimin dhe menaxhimin e biznesit;
- Mentorim nga ndërmarrëse me përvojë përmes rrjetit NEXA;
- Konsulencë profesionale;
- Pajisje të nevojshme për fillimin e biznesit;
Bashkëfinancimi
Skema parasheh gjithashtu bashkëfinancim për realizimin e biznesit.
Ekipi i projektit është duke komunikuar me komunat përkatëse për të shqyrtuar mundësinë që ky bashkëfinancim të sigurohet për përfitueset përmes mbështetjes së komunave.
Detajet dhe mënyra e bashkëfinancimit do t’u komunikohen aplikuesve dhe përfitueseve në mënyrë të qartë gjatë procesit.
Cilat ide biznesi mbështeten?
Faza e Dytë e Skemës së Granteve fokusohet në ide që lidhen me turizmin, produktet autoktone, artizanatin, kulturën dhe trashëgiminë lokale.
Disa nga fushat dhe aktivitetet e mbështetura përfshijnë:
- Përgatitjen dhe shitjen e ushqimeve tradicionale;
- Prodhimin dhe shitjen e ëmbëlsirave tradicionale;
- Përpunimin dhe paketimin e produkteve autoktone ushqimore;
- Prodhimin e veshjeve kombëtare dhe tradicionale;
- Prodhimin e produkteve artizanale dhe tradicionale;
- Prodhimin e suvenireve dhe dhuratave me identitet lokal;
- Krijimin e produkteve kreative të bazuara në kulturën dhe trashëgiminë lokale;
- Personalizimin, dekorimin, gravurën dhe printimin;
- Etiketimin dhe paketimin kreativ;
- Organizimin e përvojave të vogla turistike dhe kulturore;
- Shërbimet e guidës dhe interpretimit lokal;
- Fotografinë dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.
Nëse ideja juaj lidhet me këto fusha dhe dëshironi ta ktheni atë në një biznes, ju inkurajojmë të ndiqni procesin dhe të aplikoni.
Si zhvillohet procesi?
Procesi i aplikimit zhvillohet në disa hapa të njëpasnjëshëm:
1. Lansimi i thirrjes
30 Shtator – 6 Tetor 2026
Gjatë kësaj periudhe publikohet thirrja dhe kandidatët kanë mundësi të informohen për kriteret, sektorët e mbështetur dhe mënyrën e aplikimit.
2. Pyetjet dhe sqarimet
5 – 6 Tetor 2026
Pyetjet mund të dërgohen në adresën:
Përgjigjet do të publikohen më 6 Tetor 2026 në webfaqen zyrtare dhe në rrjetet sociale të projektit, në mënyrë që të gjithë aplikuesit të kenë qasje në të njëjtin informacion.
3. Shprehja e interesit
7 – 13 Tetor 2026
Kandidatët duhet të dërgojnë një email të thjeshtë në:
Emaili duhet të përmbajë:
“Unë jam [Emri dhe Mbiemri], nga [Komuna], dhe shpreh interesin tim për të qenë përfituese e Skemës së Dytë të Granteve ‘E ARDHMJA E SAJ’.”
Pas dërgimit të emailit, aplikueset do të pranojnë një pyetësor të shkurtër, i cili duhet të plotësohet dhe të dorëzohet deri më 13 Tetor 2026, ora 16:00.
4. Shqyrtimi i pyetësorëve
13 – 14 Tetor 2026
Ekipi i projektit do t’i shqyrtojë pyetësorët dhe do t’i përzgjedhë kandidatet për të vazhduar në fazën e trajnimit.
5. Njoftimi për trajnim
14 Tetor 2026
Kandidatët do të njoftohen përmes emailit nëse janë përzgjedhur për të marrë pjesë në trajnim.
6. Trajnimi tre-ditor
19 – 21 Tetor 2026
Trajnimi do të zhvillohet online, për tri ditë me radhë.
Pjesëmarrja në trajnim është e detyrueshme. Vetëm kandidatet që marrin pjesë në trajnim mund të vazhdojnë me dorëzimin e aplikacionit final për grant.
7. Aplikimi final për grant
21 – 29 Tetor 2026, deri në ora 16:00
Pas përfundimit të trajnimit, kandidatet do të dorëzojnë aplikacionin final për grant.
Gjatë këtij procesi, trajnerët do t’i udhëzojnë kandidatet hap pas hapi për përgatitjen dhe plotësimin e aplikacionit.
8. Vlerësimi i aplikacioneve
29 – 30 Tetor 2026
Aplikacionet finale do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga ekipi përkatës sipas kritereve të përcaktuara të skemës.
9. Njoftimi për përzgjedhje
30 Tetor 2026
Kandidatët do të njoftohen përmes emailit për rezultatet e procesit dhe për përzgjedhjen si përfituese potenciale të grantit.
10. Regjistrimi i biznesit
Deri më 12 Nëntor 2026, ora 16:00
Vetëm pas marrjes së njoftimit zyrtar për përzgjedhje fillon procedura e regjistrimit të biznesit.
Përfitueset duhet ta regjistrojnë biznesin deri më 12 Nëntor 2026, ora 16:00, dhe ta dërgojnë certifikatën e regjistrimit në:
Mos e regjistroni biznesin para këtij momenti. Regjistrimi i biznesit nuk kërkohet gjatë aplikimit, shprehjes së interesit apo trajnimit.
11. Nënshkrimi i kontratave
Pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes dhe regjistrimit të bizneseve, përfitueset do të ftohen për nënshkrimin e kontratave individuale.
Data dhe detajet e nënshkrimit do të komunikohen me kohë.
Ku mund të gjeni më shumë informacion?
Të gjitha informacionet, dokumentet, njoftimet dhe përditësimet lidhur me Fazën e Dytë të Skemës së Granteve do të publikohen në webfaqen zyrtare të projektit “E Ardhmja e Saj” dhe në rrjetet sociale të projektit.
Për pyetje dhe sqarime, mund të na kontaktoni në:
Nëse keni një ide biznesi dhe dëshironi ta zhvilloni atë më tej, kjo mund të jetë mundësia juaj për të marrë mbështetjen e nevojshme për ta bërë hapin e parë.